Obituario

Crumb, një nostalgjik i tingujve të harruar

Florian Vlashi
miércoles, 16 de febrero de 2022
Georg y Alice Crumb © 2019 by Steven Pisano Georg y Alice Crumb © 2019 by Steven Pisano
0,0005766

24 tetori i vitit 1929 ka qenë e enjte. Kjo ditë ka hyrë në histori si “e enjtja e zezë”; është fillimi krizës më të madhe financiare në shekullin XX si dhe fillimi i Depresionit të Madh. Po atë ditë, 855 km nga Wall Street drejt jugperëndimit, ndërmjet jehonave të lumit mes kodrave të Charleston (Virgjinia Perëndimore), lind George Henry Crumb. Është i biri i klarinetistit George Crumb dhe i violonçelistes Vivian Reed i cili do të bëhet një nga kompozitorët më të mëdhenj të shekullit XX. Si një kapriço e Fatit apo e një ekuacioni misterioz yjesh, ajo “e enjte e zezë” shdërrohet në ar për historinë e muzikës bashkëkohore me ardhjen e të madhit Crumb.. (Nëse ¨crumb” në anglisht do të thotë “thërrime”, pa dyshim do të bëhej fjalë për një “thërrime kozmike¨)

Ai fillon herët kompozimin “në stilin e Mozartit”. Vazhdon studimet në Mason College of Music and Fine Arts, më pas në University Illinois, Michigan, vazhdon në Berlin Hochschule für Musik dhe merr doktoraturën në Michigan në vitin 1957. Punon si profesor në Colorado University (1959 – 1964) dhe në University of Pennsylvania, nga 1965 deri më 1997 kur del në pension.

Ndërmjet çmimeve të shumtë dallojnë Pulitzer në Muzikë më 1968 për veprën e tij Echoes of Time and River (Jehonat të Kohës dhe Lumi) si dhe Çmimin Grammy për Kompozimin më të mirë Bashkëkohorë të vitit 2000 me veprën Star-Child (Fëmija –Yll)

Megjithëatë, kryeveprat e tij më të njohura janë Black Angels (1970), Ancient Voices of Children (1970) me poemat nga Federico Lorca, Vox Balaenae (1972) dhe Macrocosmos (1972)

Crumb jetoi në epokën kur muzika në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte e ndarë në disa stile muzikorë dominues: neoklasicizmi i Stravinsky-t, serializmi i Schoenberg-ut, Jazz, etj. Por Crum e shikonte muzikën përtej shkollave apo rrymave të caktuara. Ai adhuronte Schubert-in, romantizmin e Chopin-it, Schumann-it, Brahms-it, mjeshtrinë e orkestrimit të Bartoku-t, filozofinë muzikore të Webern-it, ngjyrimet ekzotike të Debussy-s apo poliritmikën e Stravinsky-t. Muzika për të nuk kishte kufinj. Crumb mendonte se e gjithë muzika ka një mision: njerëzoren. Për këtë, krijimet e tij janë një sintezë stilesh bashkë me numerologjinë, astrologjinë, mistikën, simbologjinë, ngjyrat dhe teatrin muzikor, duke krijuar kështu zërin e tij. Ai, si një alkimist timbrikash, nuk rresht së hulumtuari tingëllime të reja, të padëgjuara më parë,. Siç pohon edhe vetë në një intervistë të vitit 2019 Më pëlqejnë tingujt që duket sikur janë në ajër, që nuk dihet se nga vijnë.

Crumb, një aventurier hulumtues i tingüjve të padëgjuar.

Po ashtu thoshte se ish rritur në një qytet që përshkohej nga një lum dhe ku kodrat përreth shpërndanin një tingëllim të vazhdueshëm. Gjithmonë kam menduar se ekot e që shfaqen tek muzika ime vijnë nga ajo ç´kam dëgjuar atje në fëmijëri.

Crumb, një nostalgjik i tingujve të harruar.

Një të dielë qershori të vitit 2007, në sallën e errësuar të Muzet të Arteve në La Coruña, Grupo Instrumental Siglo XX – me solistët Florian Vlashi, Caroline Bournaud, Wladimir Rosinskij dhe Ruslana Prokopenko - luan veprën emblematike “Black Angels”. Është një ngjarje muzikore sepse për herë të pare, një grup spanjoll luan kët kulm të muzikës bashkëkohore për kuartet, duke qenë, veç të tjerave, edhe një vepër e paarritshme nga vështirësia ekstreme. Po ai grup paraqet veprën edhe në disa koncerte didaktike si dhe në Bienalen Netët e Muzikës Klasike, Durrës 2013 në koncertin “Muzika & Matematika”.

Video e tyre ne Youtube ka në këtë momento 64.300 vizita.

Georg Crumb, «Black Angels», nº 7, Threnody. © 1970 by Edition Peters.Georg Crumb, «Black Angels», nº 7, Threnody. © 1970 by Edition Peters.

Vetëm duke parë partiturën të krijohet përshtypja se je përpara një kuadri të Kandinsky-t për nga bukuria abstrakte. Aty shkruhet In tempori belli bashkë me datën E premte 13 mars 1970. Ështe e frymëzuar nga lufta e Vitnamit dhe e shkruar për katër instrumenta herqesh elektrikë si dhe me një pafundësi tingujsh të tjerë, si perkusion, klithma, fërshëllima, pëshpërima, kupa kristali, pozicione të instrumentave mbrapsht, etj. Të gjitha këto për të krijuar një peizash tingujsh aluçinantë, misteriozë, irreal si dhe tmerrin e luftës. Për nga forca ekspresive vepra mund të krahasohet me Guernica të Picasso-s.

Në partiturë duket qartë që e gjitha kjo është një udhëtim shpirtëror në tre kohë: Nisja (humbja e kënaqësisë), Mungesa (zhdukja e shpirtit), Rikthim (shpëtimi), një dritë shprese. “Engjëjt e Zinj” është një parabolë (simbolizëm moral) i kohës sonë, Ato janë kudo, të padukshëm, të heshtur, diku thellë brenda qënies njerëzore. Por vjen një ditë dhe, ashtu si Gregorio Samsa i Kafkës, ti mund të zgjohesh i pushtuar nga ato, qofë në një fshat të Vietnamit, në kufirin e Ukrahinës apo tek një stacion treni në Madrid një mëngjes marsi 2004.

George Crumb vdiq të dielën e kaluar me 6 shkurt, në shtëpinë e tij, në Media, Pensilvania. Ishte në moshën 92 vjeçare. Pranë kishte të shoqen Elizabeth Brown, 72 vite të martuar, djemtë Davidin edhe ai kompozitor si dhe Peter. E bija, Ann ishte shuar tre vite më parë në po të njëjtën shtëpi.

Cilat kanë qenë pamjet e fundit që ka parë ai kur mbylli sytë?; ndoshta nënën e tij duke luajtur në violonçel apo babain që shoqëronte me muzikë filmat e vjetër pa zë Nuk e di as se cilat ishin fjalët e tij të fundit, as ato që degjoi. Dua të besoj se kanë qenë vargjet e Lorca-s në mbyllje të veprë së tij “Ancient Voices of Children”, vargje që aq shumë i përmendte:

Do shkosh larg, shumë larg nga deti dhe nga toka?... Po, do iki shumë larg…afër yjeve, për ti kërkuar Krishtit të më kthejë shpirtin tim kur isha i vogël.

Dhe jehonat e lumit Kanawha nga kodrat e fëmijërisë, vazhdojnë të mbërrijnë deri tek ne… sot e përgjithmonë.

Comentarios
Para escribir un comentario debes identificarte o registrarte.